Skip Global Navigation to Main Content
Skip Breadcrumb Navigation
Turn Admin On!
2009 - Deklarata

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përballen me ndryshimin klimaterik – në Kopenhagen dhe më tej. nga Deborah Jones, E Ngarkuara me Punë, Ambasada e Sh.B.A

15 Dhjetor 2009
Editorial nga Deborah Jones, E Ngarkuara me Punë, Ambasada e Sh.B.A.

Editorial nga Deborah Jones, E Ngarkuara me Punë, Ambasada e Sh.B.A.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të angazhuara për të arritur një rezultat sa të më thellë në konferencën e Kombeve të Bashkuara në Kopenhagen.  Për të treguar angazhimin dhe interesin tonë në arritjen e këtij qëllimi nga ana e bashkësisë botërore, Presidenti Obama do të udhëtojë në Kopenhagen për të marrë pjesë në këtë konferencë.  Kopenhageni përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të punuar mbi një zgjidhje globale përsa i përket ndryshimeve klimaterike – më shumë se 90 krerë shtetesh do të marrin pjesë në konferencë.  Bota është duke vëzhguar.

Ndryshimet klimaterike janë një nga sfidat më të mëdha me të cilën planeti ynë po përballet, dhe pasojat e saj janë tashmë të dukshme.  Niveli i deteve po rritet, oqeanët po bëhen më acidikë, furtunat po bëhen më të shpeshta dhe të fuqishme, akullnajat dhe akujt e Artikut po zhduken dhe rezervat e ujit janë në rrezik.  Këto ndryshime kërcënojnë jo vetëm mjedisin por edhe sigurinë dhe qendrueshmërinë.

Ndryshimi klimaterik është një sfidë globale që kërkon një zgjidhje globale.  Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bashkuar me të gjithë të tjerët, duke kërkuar një marrëveshje ndërkombëtare nëpërmjet procesit negociues të Kombeve të Bashkuara.  Ne mbështesim një marrëveshje ligjore, por liderët botërorë e kanë kuptuar që arritja e një marrëveshjeje brenda një kohe të shkurtër sa ajo e konferencës së Kopenhagenit, ka shumë pak gjasa të ndodhë.

Duke pasur parasysh këtë, është shumë e rëndësishme që të gjithë kombet, të udhëhequr nga ekonomitë e mëdha, të bëjnë ç’është e mundur për të prodhuar një marrëveshje të fortë dhe funksionale që do të jetë një fillim i mirë dhe do të ndihmojë në ngritjen e institucioneve të nevojshme për të luftuar ndryshimet globale.  Kryeministri danez Rasmusen ishte i pari që hodhi idenë për një marrëveshje të tillë, të cilën do mund ta mbështesin të gjithë udhëheqësit e botës.  Ajo mund të shërbejë si një angazhim i fuqishëm dhe i saktë, i cili përfshin të gjitha çështjet e rëndësishme gjatë ndërmjetësimeve: zbutjen, përshtatjen, financimin dhe mbështetjen teknologjike; dhe transparencë dhe përllogaritje.

Presidenti Obama do të udhëheqë Shtetet e Bashkuara në punën e tyre mbi këtë çështje.  Ne jemi duke bërë më shumë se kurrë për t’u përballur me këtë sfidë, qoftë duke mbështetur politikat kombëtare mbi përparimin e një energjie të pastër, sigurie klimaterike dhe rimëkëmbje ekonomike, ashtu edhe duke u angazhuar fuqishëm në nivel ndërkombëtar.  Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur, në përputhje me legjislacionin e vendit, për të përmbushur qëllimin e reduktimit të lëshimeve të gazit në 2020 me 17% më pak se niveli i vitit 2005.  Ky synim na vendos në rrugë të mbarë për të arritur një ulje prej 30% në 2025, 42% ulje në 2030, në linjë me qëllimin e Presidentit për të ulur lëshimet e gazit me 83% në vitin 2050.

Por Shtetet e Bashkuara nuk mund ta zgjidhin problemin të vetme.  Suksesi kërkon veprim nga të gjithë.  Me këtë qëllim, të gjitha ekonomitë e mëdha do të duhet të prezantojnë plane reduktimi në çdo marrëveshje të re që do të hartohet në Kopenhagen dhe të angazhohen për përmbushjen e këtyre planeve.  Në lidhje me këtë çështje ne kemi parë shenja inkurajuese.

Transparenca është gjithashtu thelbësore në çdo marrëveshje – i jep vendeve besimin se edhe të tjerët po përmbushin angazhimet e tyre, si dhe i lejon botës të masë nëse vërtet jemi duke pakësuar në mënyrën e duhur lëshimet e gazit.  Të gjitha ekonomitë e mëdha duhet të bien në një mendje në Kopenhagen mbi një regjim transparent. 

Së fundmi, një marrëveshje ndërkombëtare do të ketë sukses nëse plotëson dhe promovon në të njëjtën kohë zhvillime që e çojnë botën drejt një ekonomie me karbon të ulët.  Duhet të sigurojmë mbështetje financiare dhe teknologjike për vendet, veçanërisht për ato më të varfra dhe të dobëta, për t’i ndihmuar ato në pakësimin e lëshimeve të gazit dhe përshtatjen me ndryshimet klimaterke.  Gjetja e një zgjidhjeje mbi ndryshimet klimaterike mund të ketë përfitim për të gjitha vendet – krijon investime dhe vende të reja pune nëpër botë, ndërkohë që sjell shërbime energjie për qindra miliona të varfër në botë.

95 % e prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri gjenerohet nga hidrocentralet. Megjithatë, prodhimi aktual i energjisë nga hidrocentralet varet nga rreshjet e shiut dhe përmbush vetëm gjysmën e kërkesës kombëtare. Mbështetja e politikave mbi mjedisin dhe reformave rregullatore në fushën e energjitikës është thelbësore në promovimin e investimeve në prodhimin e energjisë ekologjike nga burime alternative. Reforma të tilla do të çojnë drejt efiçiencës administruese dhe teknike, si edhe drejt një përdorimi më eficient të energjisë së pastër. Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bashkëpunojnë me Shqipërinë për mbështetjen e zbatimit të një strategjie energjitike, për të përmirësuar gatishmërinë, efiçiencën dhe besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike si për konsum familjar, ashtu edhe për bizneset. Kjo ndihmë për ristrukturimin e sektorit energjitik të Shqipërisë, ka qenë një mjet i rëndësishëm në përparimin e bërë në zhvillimin e kuadrit ligjor, e rregullave të forcimit të kapaciteteve dhe hapjes së tregjeve, përfshirë privatizimin e aseteve dhe bashkëpunimin rajonal. Politikat dhe rregullat e përmirësuara mbi mjedisin do të promovojnë gjithashtu edhe investimet private në hidrocentralet e reja si dhe burime të tjera energjie, të cilat janë të domosdoshme për një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare.

Kopenhageni nuk është fundi i procesit.  Është pjesë e një angazhimi kolektiv më të madh për t’u përballur me një nga sfidat më të mëdha të botës.  Kopenhageni përfaqëson një mundësi për të arritur një marrëveshje që mund të na çojë në rrugën e një marrëveshjeje ligjore, si dhe në atë të kalimit në një ekonomi globale me ulje karboni.  Është e rëndësishme që ne ta rrokim atë mundësi.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gati që të bëjnë pjesën e tyre, dhe ne presim që Shqipëria të bëjë të sajën.