Skip Global Navigation to Main Content
Skip Breadcrumb Navigation
2013 Deklarata

Deklaratë e Ambasadorit të SHBA Alexander A. Arvizu Pas Takimit me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla (8 shkurt 2013)

Mirëmëngjes. 

Mendoj se të gjithë ju e keni parë deklaratën tonë të djeshme. Ajo deklaratë thotë pak a shumë gjithçka që duam të themi, por do të  përforcoj disa pika. Pikë së pari, unë e vlerësoj faktin që Prokurori i Përgjithshëm ra dakord të takohej me mua kaq herët sot në mëngjes.  Patëm një diskutim mjaft të hollësishëm dhe substancial. Unë i shpjegova se ne kemi një histori të gjatë bashkëpunimi me këtë Zyrë dhe iu zotova se ky bashkëpunim do të vazhdojë. Përsa i përket verdiktit të djeshëm dhe çështjes së 21 Janarit, sërish, do t’ju drejtoja të shihni deklaratën tonë, por, do të shtoja disa pika. 

Pikë së pari, pas asaj dite të tmerrshme të 21 Janarit, Shtetet e Bashkuara e bënë shumë të qartë se mënyra më e mirë për t’u përballur me atë tragjedi të tmerrshme ishte një hetim mbi atë që e shkaktoi këtë ngjarje. Ne theksuam rëndësinë e të qënit një hetim i besueshëm. Besueshmëria është koncepti kyç për këtë dhe, në mënyrë që hetimi të ishte i besueshëm, duhet të adresonte disa elemente: kush e organizoi, sjellja e demonstruesve, dhe sjellja e Gardës së Republikës. Ky ka qenë gjithnjë qëndrimi unë dhe nuk ka ndryshuar kurrë.

Pika e dytë është, se, përsa i përket asistencës ose përfshirjes amerikane në këtë çështje, kjo çështje ka qenë, është dhe do të jetë gjithnjë një çështje shqiptare. Nuk është një çështje amerikane; nuk pati përfshirje të qytetarëve amerikanë. Përfshirja amerikane rrjedh nga një kërkesë specifike dhe e drejtpërdrejtë e Prokurorit të Përgjithshëm në atë kohë, një kërkesë e mbështetur dhe nga Qeveria e Shqipërisë do të shtoja, që Shtetet e Bashkuara të jepnin asistence teknike për të mundësuar hetimin, dhe kjo ishte ajo që ne bëmë. Përsa i përket deklaratës së Gjykatës së Rrethit Tiranë sot në mëngjes, që sugjeronte se SHBA po ndërhyn në një proces gjyqësor, nuk jam dakord, me gjithë respektin që kam. Kjo akuzë nuk ka bazë. Përfshirja jonë rrjedh drejtpërdrejt nga një kërkesë specifike e Prokurorit të Përgjithshëm dhe kjo kërkesë u mbërshtet nga qeveria e Shqipërisë.

Pika e fundit që dua të vë në dukje është se gjatë takimit tim me Prokurorin e Përgjithshëm, falënderova Zyrën e tij dhe prokurorët e tij që kanë punuar fort për ta sjellë këtë çështje para drejtësisë. Disa njerëz do të pyesin për komponentët e tjerë të këtij hetimi – organizatorët, sjellja e demonstruesve – por kjo nuk është diçka në të cilën Shtetet e Bashkuara janë përfshirë ose mbi të cilën kanë kontroll, sepse, sërish, ky është një hetim shqiptar. Verdikti i djeshëm i përkiste një komponenti specifik të 21 Janarit dhe deklarata jonë dje i përkiste kësaj pjese specifike të çështjes.

Shumë faleminderit.
###