Skip Global Navigation to Main Content
Skip Breadcrumb Navigation
Për ne

Mbi Misionin e Sh.B.A. në Shqipëri

Pamje Ballore e Ambasadës

Pamje Ballore e Ambasadës

Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars, 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Ambasada e Sh.B.A. në Tiranë u hap më 1 tetor 1991, me Kristofer Hill si I Ngarkuar me Punë ad interim dhe i pasuar nga Ambasadori i Sh.B.A. Uilliam Eduin Rajerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij Qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.

Në ceremoninë historike në vitin 1991 për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, i cili rivendoste marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze Rejmond G.H. Saitc, tha:

"Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti [Udrou] Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve."

Më 11 qershor 1991, ish Sekretari i Shtetit Xheims A. Bejker III ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i Sh.B.A. që vizitonte Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të vendit. Qysh nga ajo kohë, marrëdhëniet Sh.B.A.-Shqipëri kanë përparuar e janë rritur, dhe Shqipëria është bërë një nga aleatet më të palëkundura të Amerikës, sidomos në luftën globale kundër terrorizmit. 

Kancelaria e Sh.B.A. në Shqipëri

Ambasada e Sh.B.A. në Tiranë është një ndërtesë shumë e bukur italiane e stilit kolonial, ndërtuar në vitet 1920të. Ishte ndërtesa e parë e ndërtuar ndonjëherë nga Departamenti i Shtetit për të shërbyer si Ambasadë. Misioni italian në Tiranë e përdori atë gjatë epokës komuniste kur Sh.B.A. nuk kishin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Qysh atëherë, ndërtesa është rinovuar dhe tani shërben për zyrat e shumë agjencive të Qeverisë së Sh.B.A. të përfaqësuara në Shqipëri. 

Ambasada e Sh.B.A. Tiranë: Deklarim i Misionit

Ambasada e Sh.B.A. në Tiranë mbron dhe promovon interesat e Sh.B.A. dhe zhvillon marrëdhënie me Republikën e Shqipërsië nëpërmjet kontaktit me Qeverinë e Shqipërisë, si edhe me bashkësitë e biznesit, të punës, medias, qytetare, akademike, ushtarake, arsimore, të arteve e kulturës, si edhe me popullin në përgjithësi. Fushat me interes të përbashkët përfshijnë zhvillimin e një arkitekture të re të sigurisë europiane, përfshi zgjerimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), luftën kundër terrorizmit, si edhe forcimin e institucioneve demokratike dhe stabilitetit në gjithë Europën Juglindore.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria po punojnë gjithashtu sëbashku për të zhvilluar lidhje të forta tregtie dhe investimesh mes dy vendeve dhe për të lehtësuar bashkëpunim më të madh mbi çështje rajonale politike, të zbatimit të ligjit, ekonomike dhe mjedisore.