Presidenti George Bush do të kthehet së shpejti në shtetin e tij Teksas
pas tetë vitesh të vështira në historinë amerikane. Por çfarë gjurmësh
le pas Presidenti i 43-të dhe si do të kujtohet ai nga të tjerët?
Presidenca e
tij filloi nën hijen e një polemike për rezultatin e zgjedhjeve. Ajo
përfundoi me vendin në luftë dhe në krizë ekonomike.
Shija e hidhur e
zgjedhjeve të vitit 2000, të cilat u vendosën nga Gjykata e Lartë,
vazhdoi disa muaj pas fillimit të mandatit të tij presidencial. Pastaj
erdhi 11 shtatori 2001. Vendi i zhytur në një valë zie dhe zemërimi u
bashkua përkohësisht rreth Presidentit Bush.
“Unë ju dëgjoj. Edhe bota
ju dëgjon. Dhe njerëzit që rrëzuan këto ndërtesa do të na dëgjojnë të
gjithëve së shpejti”, tha presidenti në Nju Jork.
Ishte një moment vendimtar për presidencën Bush.
Ai u bë njeriu me një mision të qartë: të garantonte sigurinë e
Amerikës.
“Me urdhërin tim, ushtria amerikane ka filluar goditjet
kundër kampeve stërvitore të al-Kaidës dhe instalimeve ushtarake të
regjimit taleban në Afganistan”.
Brenda një viti u hartuan plane për të
dërguar trupa amerikane në një front të dytë. Me popullaritetin e tij në
rritje, George W. Bush paraqiti argumentet për ndërhyrjen ushtarake që
do të largonte nga pushteti udhëheqësin irakian, Saddam Hussein.
“Nëse
presim që kërcënimi të materializohet plotësisht, atëhere pritja do të
jetë tepër e gjatë”.
Pas dekadash retorike për teorinë e frenimit,
koncepti i luftës parandaluese u bë një alternativë konkrete. Shumë
shpejt, trupat amerikane u dërguan në Irak. Por me rritjen e numrit të
viktimave amerikane, niveli i miratimit të Presidentit nga publiku
filloi të bjerë.
Ekspertët e çështjeve të sigurisë thonë se historia
mund të mos e trajtojë me shumë dashamirësi luftën. Ja si shprehet
Anthony Cordesman, ekspert në Qendrën për Studime Strategjike dhe
Ndërkombëtare.
“Nuk mendoj se kjo administratë do të mbahet mënd për
mirë. U bënë shumë gabime dhe administrata u mbështet shumë në
objektiva ideologjike”.
Lufta vazhdonte kur uragani Katrina goditi
Gjirin e Meksikës në gusht 2005. Qeveria nuk ishte e përgatitur të
përballonte një krizë të tillë kur digat, që mbronin qytetin New
Orleans në Louisiana u çanë. Presidenti Bush pa nga afër shkatërrimet
nga aeroplani i tij presidencial ndërsa kthehej në Washington nga
pushimet në fermën e tij në Texas. Pas dy javësh, ai mbajti një fjalim
për vendin nga sheshi kryesor i atij qyteti.
“Amerikanët kanë
plotësisht të drejtë të presin përgjigje më të efektshme në kohe
emergjente. Kur qeveria federale nuk përmbush një detyrim të tillë, unë
si president mbaj përgjegjësi për problemin dhe për zgjidhjen e
tij”.
Ken Uollsh është korrespondent veteran i Shtëpisë së Bardhë për
revistën U.S. News and World Report. Ai thotë se përgjigja e publikut
ndaj krizës së shkaktuar nga uragani Katrina ishte shumë e
dëmshme.
“Reagimi i njerzve ishte se si u lanë banorët e Nju Orlinsit të
bllokuar në stadium, në çatitë e shtëpive dhe nuk iu dha ndihmë. Ne
supozohemi të jemi superfuqi dhe dimë si të përballojmë krizat. Një
imazh i tillë avulloi menjëherë”.
Shkatërrimet e shkaktuara nga uragani
Katrina dhe operacionet ushtarake në Irak mjegulluan lajmet rreth
ndoshta arritjes më të madhe të administratës Bush në botë: Kriza e Sidës.
Në vitin 2003, zoti Bush ndërmori një program për të
luftuar këtë sëmundje në Afrikë dhe gjetkë, duke ndihmuar rreth 10
milion njerëz. Zoti Uollsh thotë se kjo arritje mund të jetë trashëgimia
më pozitive e presidentit Bush.
“Kjo ndihmë për Afrikën për të luftuar
Sidën dhe virusin HIV ka qënë një nismë shumë e sukseshme dhe
presidenti Bush nuk ka marrë meritën e duhur për të”.
Ndërsa afroheshin
ditët e fundit në Shtëpinë e Bardhë, personi që dikur krenohej se
rrallë herë shfaqte emocionet e tij, tregoi shenja nostalgjike.
“Kur të
vijë dita, më 20 janar, unë dhe Laura do të kthehemi në Teksas me
kujtime të çmuara për kohën që qëndruam këtu, me mirënjohje të madhe
për nderin që na u dha për t’i shërbyer këtij vendi të
mrekullueshëm”.
Fluturimin e tij për t’u kthyer në Texas, zoti Bush me
gruan e tij do ta bëjë me një prej aeroplanëve ushtarakë që përdoren
për udhëtimet e presidentit në gjithë vendin dhe nëpër botë. Por ky
aeroplan nuk do të mbajë kodin "Air Force One," i cili rezervohet vetëm
për presidentin e Shteteve të Bashkuara. (ze)